Pianistja nga Gjilani, Fatjona Maliqi mahnit me performancën e saj në Gjermani
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi ka emocionuar publikun me një performancë të veçantë artistike në Kalanë historike Neckarhausen në Gjermani, në një koncert që u karakterizua nga atmosferë e ngrohtë dhe pritje entuziaste nga të pranishmit, shkruan albinfo.ch.
Përmes një reagimi publik, artistja ka shprehur mirënjohjen dhe emocionet e përjetuara gjatë kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se interpretimi në këtë ambient unik ishte një përvojë e paharrueshme.
“Atmosfera ishte me të vërtetë e veçantë dhe u preka thellë nga thirrjet ‘Bravo!’ dhe duartrokitjet e përzemërta”, është shprehur Maliqi.
Ajo ka theksuar se momente të tilla ia rikujtojnë forcën që muzika ka për të bashkuar njerëzit dhe për të krijuar emocione që mbeten gjatë në kujtesë.
Pianistja shqiptare falënderoi komunën Edingen-Neckarhausen, shtetin gjerman Baden-Württemberg dhe veçanërisht organizatorin z. Grosch për mikpritjen dhe organizimin e mbrëmjes artistike.
“Këto kujtime do t’i mbaj me vete për një kohë të gjatë”, ka shtuar ajo.
Performanca e Fatjona Maliqit vjen si një tjetër sukses i artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, duke promovuar kulturën dhe talentin shqiptar para publikut evropian.

