Rrugët e vështira çojnë tek njerëzit e fortë

Ardian Azemi

Jeta nuk është një fushë me lule. Ka sfida. Ka shumë sfida. Ka përballje.

Pavarësisht stuhive, mos u ndal edhe atëherë kur sheh plot të tjerë që janë ndalur.

Ec përpara, sepse diku ka një dritë. Ec, sepse askush kurrë nuk ka fituar në raport me sfidat pa u përballur me to.

Askush nuk e di çfarë sfidash ka kaluar tjetri. Gjithmonë të vetat i duken më të rëndat.

Mos e merr heshtjen time si shenjë se jam më i lumturi apo njeriu pa probleme. Jo. Thjesht po i përballoj. Po eci dhe s’po ndalem.

Po eci sepse e shoh diku një dritë dhe jam shumë i bindur se Zoti do të ma japë atë që e dëshiroj për veten time.

Zoti nuk ia dha njeriut mendjen që të dorëzohet para pengesave, por që t’i sfidojë ato.

Nuk na dha forcën për t’u ankuar gjithë jetën, por për t’u ngritur sa herë që rrëzohemi.

Besimi nuk do të thotë të presësh mrekulli pa lëvizur, besimi do të thotë të ecësh edhe kur rruga është e errët, duke e ditur se asgjë nuk ndodh pa arsye dhe asgjë nuk shkon përtej asaj që është e caktuar për ne.

Ndonjëherë, vonesa është mbrojtje.

Humbja është mësim.

Dhimbja është forcim.

Sprova është mënyra si formohet njeriu.

Prandaj mos u dorëzo. Vazhdo. Shpeshherë drita është vetëm pak hapa larg atij që mendoi se duhet të ndalet.