Një kosovar arrestohet në Tiranë, pasi u denoncua nga Luana Vjollca

Policia e Tiranës arrestoi një shqiptar nga Kosova të cilin një femër e ka akuzuar për përndjekje të vazhdueshme, njoftojnë mediat shqiptare.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 29 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase”, thuhet në raportin e policisë shqiptare.

Ndërkohë panorama.com.al merr vesh se 29 vjeçari nga Gjakova, i cili u arrestua nga policia e Tiranës, është fansi i cili përndiqte prej kohësh moderatoren e njohur të e kranit shqiptar, Luana Vjollca.

Bukuroshja e ekranit kishte bërë kallëzim pak ditë më parë në Komisariat, për shkak se është ndjerë e bezdisur nga i riu që e përndiqte prej disa kohësh.

Burime të Panorama.al nga policia bënë me dije se i riu është pikërisht personi për të cilin moderatorja kishte ngritur padi.

Kjo është hera e dytë që Luana Vjollca përballet me fansat në organet e drejtësisë. Më herët policia ka arrestuar një tjetër person për përndjekjen e moderatores dhe këngëtares.

Po kështu mësohet se ajo lëviz me makinë me shofer për shkak të këtyre problemeve.