Këta janë kandidatët kryesorë për të fituar çmimin Nobel për Paqe

Disidenti rus Alexei Navalny, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg janë ndër të nominuarit kryesorë për Nobelin e Paqes këtë vit.

Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Reuters, Greta Thunberg u emërua si një nga njerëzit në pararojë të luftës kundër ndryshimit të klimës.

Navalny, i nominuar nga akademikët rusë, është emëruar për përpjekjet e tij për demokratizimin paqësor të Rusisë.

Beteja kundër COVID-19 vazhdon që të mbetet në qendër të nominimeve, dhe një emërim përfshin dhe aleancën e COVAX për aksesin e vaksinës ndaj vendeve të varfra, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Propozime të tjera përfshijnë lirinë e informacionit, me nominime të tilla si Komiteti Amerikan për Mbrojtjen e Gazetarëve, gazetarin e mëparshëm të “Charlie Hebdo” Zineb el Rhazoui, ëebsite i lajmeve të Hong Kong-ut “Free Press” si dhe reporterët pa kufij të bazuar në Paris.

Në nominime është përfshirë edhe Donald Trump, NATO dhe agjencia për refugjatët e  Kombeve të Bashkuara.

Mijëra njerëz, duke filluar që nga përfaqësuesit e parlamenteve të ndryshme nëpër botë dhe fituesit e mëparshëm, janë të lirë që të propozojnë kandidatë.

Megjithatë, Komiteti Norvegjez për Nobelin, i cili vendos për fituesin, nuk komenton mbi nominimet, dhe i mban sekret për 50 vjet emrat e fituesve dhe të nominuarve të cilët nuk kanë fituar.

Ata që nominojnë mund të zgjedhin që të tregojnë të preferuarin e tyre. Ndërkaq, fituesi i Nobelit për paqen do të shpallet në tetor të këtij viti.