Një personalitet me shumë tipare pozitive
Para 5 vitesh iku nga kjo botë një burrë i rrallë nga malësia e Zhegocit, Ismajl Sherifi. Atë e ka rikujtuar sot nipi Besniku.
‘Vitet ecin por kujtimet mbesin në kujtesën tonë.
5 vite pa ty Babalok.
Një personalitet me shumë tipare pozitive.
Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që dhe në çështjen kombëtare dhe proceset e tjera nëpër të cilat ka kaluar shoqëria Kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës. Ishte shembull për t`u admiruar. Sakrifikues dhe i etur për dije, njeri optimist dhe komunikues i përshtatshem për te gjitha moshat.
Do të mbetesh në mendje dhe zemrat tona’ – ka shkruar Besnik Sherifi.
Edhe pse ishte rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai kishte trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës, i cili ka rënë në Luftën e Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi, gjatë kohës së shërbimit ushtarak.
Ismajl Sherifi njihet edhe si pajtimtar i gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Malësinë e Zhegocit, ku ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.
Ajo çfarë e dallonte Ismajlin nga të tjerët, jo vetëm në Vërbicë e Gjilan, por gjithandej në Kosovë, këtë njeri të dhembjeve, sfidave e sakrificave, ishte dashuria për vlerat kombëtare, të cilat ky burrë shtatlartë, i pashëm dhe i zgjuar, i bartte me krenari. /Mediafokus.info

