Një qeverisje e mirë, prioritet ka realizimin e objektivave vjetore

Kuvendi komunal i Vitisë ka mbajtur seancën e parë në këtë vit, ku një Informatë për punën janar-dhjetor 2019 e ka paraqitur edhe kryetari Sokol Haliti, i cili tha se një qeverisje e mirë, përherë është e fokusuar në realizimin e objektivave dhe identifikimin e sfidave në të gjithë sektorët.

Objektiva themelore kanë qenë krijimi i parakushteve për investime dhe zhvillim të bizneseve, ndërtimi i infrastrukturës bazike në të gjitha lokalitetet e komunës së Vitisë, ngritja e cilësisë në arsim, shërbime më të mira në shëndetësi e administratë, subvencione në bujqësi, mbështetje në sport, rini e kulturë, ka thënë Haliti.

Sa i përket projekteve, Haliti përmendi rivitalizimin e ujësjellësve, asfaltimin e rrugëve rurale dhe të rrugëve që lidhin fshatrat, rregullimin e hapësirave gjelbëruese, ndërtimin e trotuareve, rregullimin e fushave sportive, rregullimin e kanalizimeve dhe gropave septike etj.

Këshilltarët komunalë kanë parashtruar një varg pyetjesh rreth raportit të punës, për të cilat edhe kanë marr përgjigje nga kryetari Haliti.

Në këtë seancë u shqyrtuan edhe pasqyrat financiare për periudhën janar- dhjetor 2019, ndërkaq u miratua draft rregullorja për transparencë, vendimi për caktimin e orarit të takimeve të Kuvendit Komunal dhe të tjera./Mediafokus/