Një rus dhe një suedez humbin në Valbonë

Dy turistë të huaj, njëri rus dhe tjetri suedez rezultojnë të humbur në zonën e Valbonës, nga dita e djeshme.

Raportohet se ata ishin nisur nga Valbona për në Theth, por kanë humbur kontaktet. Menjëherë janë njoftuar forcat e policisë, të cilat kanë nisur kërkimet për gjetjen e turistëve.

Parku Kombëtar i Valbonës dhe Alpet shqiptare janë zona të frekuentuara nga turistë vendas dhe të huaj.

“Më datë 03.06.2021, në mbrëmje, në Valbonë, dy turistë, nga Suedia dhe Rusia, kanë humbur rrugën duke eksploruar territorin nga Valbona në drejtim të Thethit. Menjëherë janë angazhuar Forcat e Policisë së Tropojës për gjetjen e tyre. Për shkak të terrenit të vështirë vazhdojnë kërkimet nga punonjës policie që po kontrollojnë territorin me këmbë. Kërkimet intensive nga shërbimet e Policisë kanë vazhduar që prej mbrëmjes së djeshme, kur turistët kanë shkëputur kontaktet për shkak të fikjes së celularëve nga rënia e baterisë. Punonjësve të Policisë që janë në kërkim të turistëve i janë bashkuar edhe alpinistët e vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.