Një tjetër person kryen vetëvrasje shkaku i COVID-19

Një tjetër person i sëmurë me Covid-19 ka bërë vetëvrasje. 77-vjeçari Hekuran Korça është hedhur nga kati i tretë i shtëpisë, ndërsa ndërroi jetë në spital pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

ABC mëson se para një jave, ai kishte dalë pozitiv me koronavirus. I moshuari u shtrua në spitalin infektiv ku iu nënshtrua terapisë mjekësore. Sipas mjekëve ai ishte negativizuar dhe mesditën e së hënës la spitalin. Por vetëm pak orë më pas, ai ndërmori aktin ekstrem.

I moshuari, babai i 5 fëmijëve jetonte vetëm në banesë. Një muaj më parë, Hekurani kishte humbur një prej vajzave që jetonte në Greqi.

Kjo fatkeqësi, por dhe trauma e shkaktuar nga Covid kanë qenë shkaqet që kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij psikologjike, pas së cilës ndërmori dhe aktin ekstrem.

Gjatë kohës së pandemisë, 3 pacientë me koronavirus u hodhën nga lartësia, duke ndërruar jetë në vend.