Një turist norvegjez ndërron jetë në Ksamil

Një norvegjez i moshes 56-vjeçare është ndjerë keq pasi ka dalë nga dushi dhe për rrjedhojë është  drejtuar për në Qendrën Shëndetësore të Ksamilit, ku këtu ka humbur edhe jetën.

Nga Ksamili trupi i norvegjezit është transportuar për në morgun e spitalit në Sarandë. Shtetasi norvegjez ndodhej së bashku me miken e tij për pushime në vendin tonë, i ardhur në datën 16 qershor dhe ditën e djeshme kishte ardhur në Ksamil.

Mësohet se ai ka pasur probleme me presionin në gjak. Trupi ndodhet në morgun e spitalit të Sarandës dhe ditën e nesërme  do të transportohet për në Tiranë tek mjekësia ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës. Policia po kryen hetimet për ngjarjen.

Në postimet e tij në Facebook, fotot e fundit të postuara janë nga aeroporti i Ukrainës para 3 ditëve.

Ndërsa ditën e sotme ai ka postuar një foto nga pushimet që po bënte në Ksamil. Rërë, një shishe birrë dhe deti i kaltër janë pamjet e postuara para disa orëve, ku miqtë e tij vazhdojnë ta urojnë “pushime të mbara!” Si duket edhe postimet nga fotot e tij në Facebook pasioni  i tij kanë qenë udhëtimet dhe makinat.