Xhamitë në Maqedoninë e Veriut hapen me 12 maj

Maqedonia e Veriut do të hapë xhamitë duke filluar nga e marta e javës së ardhshme, 12 maj.

Vendimi është marrë nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) në mbledhjen e mbrëmshme, duke iu mundësuar kështu besimtarëve myslimanë që të kryejnë ritet fetare në xhami.

“Bashkësia Fetare Islame me shumë kujdes ndjek përmirësimin e gjendjes shëndetësore në vend, uljen e numrit të të infektuarve nga virusi Covid 19 si dhe duke vlerësuar kërkesat e 13 Muftinive, të cilat janë të bazuara në kërkesat e xhemateve, dhe të indinjuar nga veprimet e pakujdesshme të KOM-it, që ka nxitë besimtarët islamë, Rijaseti i BFI-së, në mbledhjen e vet të jashtëzakonshme të mbajtur më 07. 05. 2020 solli vendimin me sa vijon:Nga data 12 maj 2020, e martë, xhamitë do të jenë në shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive. Vendim hyn në fuqi nga data e sjelljës së tij”, thuhet në vendimin e BFI-së.

BFI thekson se “gjatë tërë kohës së pezullimit të namazeve me xhemat në xhami, BFI-ja me të gjitha organet dhe institucionet edukativo-arsimore të saja, në përpikëshmëri u është përmbajtur rekomandimeve të institucioneve relevante për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, edhe pse të vetëdijshëm për pasojat e veta. Po ashtu, Bashkësia Fetare Islame ka qenë i vetmi institucion fetar në vend, që publikisht ka kërkuar nga besimtarët islamë që t`u përmbahen rekomandimeve për ruajtjen e shendetit, edhe pse për këtë askush nga organet kompetente nuk dha ndonjë vlerësim pozitiv për BFI-në, por, përkundrazi disa qarqe të afërta me pushtetin, vazhdimisht e sulmonin BFI-në dhe kreun e saj”.

BFI shpreson se ky vendim i Rijasetit do të gjejë mirëkuptimin e organeve kompetente shtetërore./mediafokus.info