Një zyrtari i caktohet masa e paraburgimit, dyshohet për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Q.D, për  shkak të dyshimit të bazuar për marrje ryshfeti.

Dyshohet se me datë 23.05.2021, si person zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim për vete në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që pasi i pandehuri Q.D, në mënyrë të kundërligjshme i siguron dokumentet e veturës së palës së dëmtuar, të cilat ia kishte vjedhë dikush, i pandehuri në vend se t’i lajmëroj në polici këto dokumente, ai për t’ia dhënë palës së dëmtuar i kërkon të holla.

Me këto veprime i pandehuri Q.D kishte për të kryer veprën penale marrje e ryshfetit nga neni 421 par.2 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Gjithashtu, në këtë çështje penale pritet të dëgjohet pala e dëmtuar dhe dëshmitarët andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj në palën e dëmtuar dhe në dëshmitarë, me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes në favor të tij e me këtë të pamundësoj vërtetimin e fakteve dhe të pengoj rrjedhë normale të procedurës penale.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate, thuhet në njoftimin e Gjykatës.