Nuk na duhet përçarja, problemet i kemi të njëjta, të përbashkëta

VANA JERLIU RAMADANI

Është e vështirë të mbyllësh sytë këto ditë dhe të injorosh atë çfarë po ndodhë në Kosovë.

Përderisa ballafaqohemi me gjendje pandemie, ku numri i individëve të infektuar nga Covid-19 në nivel global ka kaluar gjysmë milioni, në Kosovë ra qeveria në ditët më të vështira për popullin që nga pas lufta.

Klima negative është aq e theksuar në rrjetet sociale lidhur me gjendjen aktuale politike, saqë disa nga individët janë duke shkruar me ndjenje agonie për këtë situatë.

Në mes nesh kemi shumë mospajtime dhe në vend se të debatojmë në mënyrë demokratike dhe të ruajmë tolerancën e respektin e ndërsjellë, po ndodh e kundërta.

Mendimet po shprehen me fyerje, bullizëm dhe deri në kulm edhe me kërcënime me jetë.

Pra me rënien e kësaj qeverie, na u shtua edhe një problem: efektet negative psikologjike të shkaktuara nga stresi, paniku dhe dëshpërimi ndaj situatës politike.

Sot, të gjithë ne duhet kujdesur për shëndetin tonë, të familjes dhe shoqërisë, sepse jemi të rrezikuar nga virusi korona, efektet negative që mund të shkaktojë presioni politik, një stres i madh ka mundësi të shkaktojë edhe probleme tjera fizike.

Nuk dua të vazhdoj me shumë për efektet negative që ka shkaktuar e gjithë kjo përçarje politike, por tani dua t`ju them të gjithë juve se ka mundësi të debatohet edhe atëherë kur kemi mospajtime, në mënyrë të civilizuar, duke respektuar njëri-tjetrin.

Të mos krijojmë përçarje në familje e shoqëri duke i kualifikuar njerëzit nga besimi dhe rreshtimi i tyre politik.

Mediat dhe rrjetet sociale kanë luajtur një rol në këtë situatë, sepse njerëzit ndjehen të lirë të adresojnë gjerat në mënyra që ndoshta nuk do t`ia thoshin kurrë personit në prezencë fizike.

Të gjithë neve, juve dhe atyre: nuk na duhet përçarja se problemet i kemi të përbashkëta, të njëjta.

Nuk jam duke anuar nga asnjë anë, parti politike, thjesht ju bëj thirrje të jemi së bashku tani e gjithnjë, sepse më lehtë mund t`i zgjedhim problemet dhe t`i kalojmë situatat e sidomos këto ditë duhet të jemi sa më solidarë ndaj njëri tjetrit dhe gjithë botës, kur po ballafaqohemi me pandemi.

Njerëzit janë te lodhur, ndjehen të izoluar, të mërzitur, apatik, të mbingarkuar, të preokupuar me probleme mbijetese, andaj të jemi së bashku dhe të përkrahim njëri tjetrin, tani më shumë se kurrë.

Nuk them që të mos shprehim pakënaqësitë tona politike, por t`i shprehim ato me respekt, duke krijuar sa më pak ambient armiqësor.

Kisha pasur dëshirë që liderët e të gjitha partive, këto ditë të kishin prioritet gjendjen e pandemisë, sigurinë e popullit dhe në asnjë mënyrë të mos lejohej përçarje e tillë e masës, sepse shkakton stres të panevojshëm mu këto ditë kur të gjithë ne jemi të rrezikuar nga ky virus.

Bota po solidarizohet, andaj ju thërras që të jemi edhe në bashkë, pavarësisht kudo që gjendemi.

Jemi duke kaluar në një krizë dhe deri tani armikun e kemi të panjohur, përveç se tanimë e kuptuam se aftësia e përhapjes se këtij armiku është e madhe dhe e shpejtë.

Këto ditë, le të mbetet Covid-19 armiku ynë i përbashkët!