Nuk vjen Elezi – Ministrja e Albin Kurtit takohet me Lumezin për bashkëpunim ndër-institucional

Nuk vjen Elezi. Ministrja e Albin Kurtit takohet me Lumezin për bashkëpunim ndër-institucional, raporton gazeta Mediafokus.info.

Kryeministri Albin Kurti, para se ta merrte pushtetin, kishe deklaruar se kryeprokurori Aleksandër Lumezi do të shkarkohet, për ta kthyer në këtë detyrë prokurorin, Elez Blakaj, i cili ishte larguar në ShBA,

“Shkon Lumezi, vjen Elezi”, kishte thënë në një rast Kurti, në prag të zgjedhjeve të vitit 2019, nën arsyetimin e çkapjes së shtetit.

Sot, Zyra e Prokurorit të Shtetit, ka dërguar një komunikatë për media, nëpërmjet të cilës thuhet se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu I ka shkuar në vizitë Aleksandër Lumezit, me zotim për bashkëpunim ndër-institucional.

Ja njoftimi i plotë i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit:

Kryeprokurori Lumezi dhe Ministrja Haxhiu diskutojnë për bashkëpunimin ndër-institucional

Prishtinë, 6 prill 2021 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim njoftues Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi ka uruar Ministren Haxhiu për detyrën e re, me ç’rast  e ka njoftuar atë me ecurinë e punëve, të arriturat, sfidat dhe objektivat e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Po ashtu, diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e drejtësisë si rishikimi funksional, procesi i vettingut, avancimi i llogaridhënies, transparencës si dhe efikasiteti i trajtimit të krimeve të luftës ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit Lumezi dhe Ministres Haxhiu.

Më këtë rast, Kryeprokurori i Shtetit ka informuar Ministren e Drejtësisë për progresin e shënuar nga Prokuroria Speciale në krijimin e departamenteve për trajtimin e krimeve të luftës, ndarjen e prokurorëve në regjione, krijimin e databazës së përbashkët me policinë, zbatimin e strategjisë për krime lufte dhe çështje tjera me interes nga kjo fushë.

Në këtë kontekst u theksuar nevoja për mbështetje nga Ministria e Drejtësisë, veçmas në bashkëpunimin juridik me Serbinë, në mënyrë që kryerësit e veprave penale të krimeve të luftës të bëhen të arritshëm për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Ministrja Haxhiu ka informuar Kryeprokurorin e Shtetit me prioritet e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë së re në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në funksion të forcimit të sundimit të ligjit, si dhe shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur Prokurorin e Shtetit në adresimin e çështjeve institucionale, veçmas në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe resurseve tjera të nevojshme.

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit dhe Ministrja e Drejtësisë kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të forcimit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit si dhe konsolidimit të institucioneve të drejtësisë dhe rritjes së besimit qytetarë në to.