Numri i të infektuarve me COVID-19 është 20-fishuar, thotë ministri Vitia

Numri i të infektuarve me virus, për një periudhë të shkurtër kohore, është 20-fishuar, ka thënë ministri Arben Vitia, në mbledhjen e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.

“Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund t`i kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ministri Vitia, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga anëtarët e këtij Komiteti, që u krijua për të mbikëqyrur masat, që të jenë të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave.

“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë) inspektorët e MINT-it (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), sidomos inspektorët e tregut, inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, tha Kurti.

Më 30 gusht, Qeveria e Kosovës themeloi Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë. Ky komitet ka në përbërje mbi 20 institucione të Kosovës që përfaqësohen nga një anëtar dhe udhëhiqet nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryeministri Kurti ka kërkuar nga ky komunitet që të paraqesë raport ditor mbi gjendjen e pandemisë, deri më 13 shtator, kur edhe përfundojnë masat e reja të pandemisë.