“O Sarandë, kush ta prishi ty qetësinë” – me kë po ironizon kështu Meidani

Postimi i ambasadorit ka ngjallur reagime dhe komente në rrjetet sociale, pasi vjen në një kohë kur po qarkullojnë edhe postime të tjera me tone ironike.

Siç vëren Tetovasot, disa përdorues të rrjeteve sociale e kanë interpretuar publikimin e videos si një përgjigje indirekte ndaj një postimi të mëhershëm të Saranda Imeri Stafait.

Reagimi i ambasadorit vjen pasi deputetja Imeri Stafai vuri në dyshim incidentet që, siç dihen tashmë, kanë ndodhur vitin e kaluar Shkup.

Ajo hodhi poshtë pretendimet se qenit të ambasadorit i ishte hedhur helm, si dhe deklarimet se ishte dëmtuar automjeti zyrtar i Ambasadës së Shqipërisë, duke u marrë edhe sende personale që ndodheshin brenda tij.

Në të njëjtin status, deputetja akuzoi ambasadorin se që nga fillimi i mandatit të tij ka vepruar më shumë në funksion të rikthimit të BDI-së në pushtet sesa në ushtrimin e rolit diplomatik.

“Që nga dita e parë, veprimet e ambasadorit Mejdani kanë lënë përshtypjen se angazhimi i tij ka qenë më shumë në funksion të rikthimit të BDI-së në pushtet sesa ruajtjes së rolit që i takon një diplomati. Sado mekanizma të përdoren dhe sado skenarë të ndërtohen, një gjë është e qartë: koha e politikës së vjetër ka marrë fund. No pasaran!”, shkroi ajo.

Megjithatë, ambasadori Meidani në asnjë moment nuk e përmend Saranda Imeri Stafain në postimin e tij dhe nuk ka deklaruar se videoja lidhet me këtë status.

Për këtë arsye, çdo lidhje mes dy publikimeve mbetet në nivel interpretimi nga përdoruesit e rrjeteve sociale.

Videoja e ambasadorit ka marrë vëmendje të konsiderueshme dhe është shpërndarë gjerësisht, duke nxitur diskutime mbi mesazhin që përcjell.