Pacientët nuk duhet të ndëshkohen sepse shprehin pakënaqësitë e tyre

Vana Jerliu Ramadani

Shprehja e shqetësimeve është e drejtë themelore dhe një mjet i domosdoshëm për të identifikuar problemet brenda sistemit shëndetësor.

Heshtja nuk sjell përmirësim. dëgjimi po.

Sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për një qasje të re, të bazuar në dëgjim aktiv, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

Ankesat e pacientëve duhet të trajtohen me seriozitet, të dokumentohen dhe të shërbejnë si bazë për masa konkrete, jo si arsye për penalizim apo stigmatizim.

Në këtë drejtim, mbetet thelbësore që çdo spital të ketë departamentin e punonjësve social, me drejtorinë e tyre të pavarur, strukturë profesionale dhe kompetenca të qarta.

Punonjësit social nuk janë staf ndihmës por ata janë pjesë e vendimmarrjes institucionale, pjesë e ekipit multidisiplinar dhe garantues të trajtimit me dinjitet.

Ata mbrojnë të drejtat e pacientit, ndërmjetësojnë mes familjes dhe stafit mjekësor, menaxhojnë rastet dhe sigurojnë vazhdimësinë e kujdesit.

Pa këtë rol, pacienti mbetet i pambrojtur në situata të cenueshme, ndërsa institucionet humbin një mekanizëm kyç të llogaridhënies.

Më 7 qershor, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia u bëri thirrje qytetarëve: “Sot është dita për ta dëgjuar zërin tuaj. Mos rrini anash — merrni pjesë.”

Ne e mirëpresim këtë thirrje dhe pajtohemi me të. Por pjesëmarrja e qytetarëve ka kuptim vetëm kur institucionet janë të gatshme të dëgjojnë, të reflektojnë dhe të veprojnë.

Zëri i qytetarëve nuk duhet të kërkohet vetëm në ditë votimesh, por çdo ditë kur ka nevojë për reforma të vërteta.

Shëndetësia nuk përmirësohet me deklarata, por me hapje ndaj profesionistëve dhe me veprime të qëndrueshme.

Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me ide profesionale dhe të ngrisim zërin për ndryshimet që pacientët i meritojnë.

Jemi pas ministrit në çdo hap që çon drejt një shëndetësie më humane, më të drejtë dhe më profesionale dhe mjafton që ai të mbajë derën hapur për ekspertizën e duhur dhe për zërin e qytetarëve!