Pacolli e fiton gjyqin ndaj Pecit për shpifje dhe fyerje

Behgjet Pacolli ka njoftuar se ka marrë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për padinë që kishte ushtruar ndaj ish-ministrit Faton Peci, tash kryetar i Mitrovicës.

Sipas Pacollit, gjykata ka aprovuar padinë e tij dhe e ka detyruar Pecin që “për deklaratat e bëra ndaj meje në rrjete sociale dhe në disa emisione televizive në nëntor të vitit 2024, të më kompensojë dëmin jomaterial të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja”.

“Për mua, ky rast nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Është çështje e së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për fjalën publike” – ka shkruar Pacolli në profilin e tij.

Pacolli thotë se kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar, por se shpifja dhe fyerja janë “diçka tjetër”.

Në vitin 2025, Pacolli përmes një postimi në Facebook kishte thënë se Peci kishte deklaruar se “një dëshmitar” do të dalë e ta denoncojë Pacollin për “vrasje të heronjve”.

“Që nga atëherë ka kaluar shumë kohë – jo vetëm ditë e javë, por disa muaj – dhe ky “dëshmitar i paralajmëruar” ende nuk është shfaqur.

Nëse ky dëshmitar nuk është paraqitur deri më tani, atëherë me plot të drejtë mund të konkludojmë se Faton Peci edhe një herë tjetër ka shpifur dhe ka gënjyer, ashtu siç ka bërë edhe në raste të tjera.

Kosova meriton ministra të përgjegjshëm, jo shpifës dhe gënjeshtarë!”, kishte shkruar Pacolli atëherë.