Pas Bujanocit, projekte të përbashkëta edhe me Gjilanin
Ardita Sinani, kryetare e Preshevës, pas kthimit në komunën e saj, ka falënderuar nga atje kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri për përkrahjen ndaj Luginës dhe angazhimin për zgjidhjen e çështjes së saj.
Falenderoj përzemërisht kryetarin e Gjilanit dhe mikun tim z.Lutfi Hazirin, për mirëpritjen e sotme.
Ishte vërtetë nderim i veçantë për komunën tonë dhe Luginën e Preshevës, nga ana e gjithë kabinetit të kryetarit të Gjilanit.
Si dy komuna fqinje me lidhje kombëtare, kulturore, familjare; Gjilani dhe Presheva kanë jo vetëm nevoja bashkëpunimi, por edhe mundësi të shumta bashkëveprimi për projekte të interesit të ndërsjellë.
Komunat e Anamoravës kanë potencial të përbashkët ekonomik dhe shoqëror, veçanërisht nëse bashkojnë kapacitetet e tyre.
U pajtuam që të bashkërendohemi për aplikim të përbashkët në disa projekte konkrete, në fonde dhe grante ndërkombëtare.
Biseduam edhe për dialogun Kosovë-Serbi në raport me Luginën e Preshevës; pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve në Serbi, çështjen e të dëbuarve dhe të zhvendosurve të Luginës së Preshevës të cilet jetojnë në Kosovë, lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, zhvillimin rajonal ekonomik etj.
Vazhdojmë bashkë! Se bashkë është më mirë. #BashkëpunimiRajonal#Anamorava#Ekonomia, ka shkruar Sinani, me t`u kthyer nga vizita në Gjilan.
Përndryshe, Haziri njihet si njërkrahës i madh i Luginës së Preshevës, i cili zgjidhjen e problemit e sheh te bashkimi i saj me Kosovën.

