Pas kreu tri operacione, ra në komë dhe nuk u zgjua më

Mjeku Sherif Krasniqi, kirurg i përgjithshëm, humbi betejën me sëmundjen, përkundër përpjekjeve të kolegëve për ta shpëtuar.

Me vdekjen e tij, shëndetësia e Prizrenit pësoi një humbje të madhe, shkruan prizrenpress.

Drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, Narqize Arënliu-Hoxhaj, ka thënë se kirurgut Krasniqi iu keqësua gjendja shëndetësore pasi kreu tri operacione, gjatë kohës sa ishte kujdestar.

“Doktor Sherifi ishte shembull i mjekut të përkushtuar në punë, ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe shërimin e plagëve në luftë dhe në paqe. Deri në momentet e fundit të punës aktive në spital ishte në kryerje të detyrës”, shprehet ajo.

Dr. Eqrem Shala, tha se doktor  Sherif Krasniqi ishte njëri ndër mjekët më të  kërkuar nga pacientët.

“Nga duart e tij u shëruan shumë plagë si në luftë, ashtu edhe në paqe”.

Edhe Dr. Hasan Arzoallxhiu e vlerëson atë si shembullin më të mirë të raportit me pacientë dhe kolegë.

“Ka qenë i gatshëm gjithmonë për pacientë dhe kolegë. Doktor Sherifi ishte dhe do të mbetet i pazëvendësueshëm për spitalin tonë”, shprehet ai.

Figura e doktor Sherif Krasniqit është vlerësuar lart edhe nga Dr. Shpend Zajmi.

“Ishte njeri i veçantë, i dashur dhe i respektuar, duke dhënë një kontribut të madh në dimensionin njerëzor, profesional e kombëtar”.

Dr. Halil Cikaj, mjek i UÇK-së dhe TMK-së tha se doktor Sherifi dha kontribut të madh gjatë luftës dhe pas saj.

Ai kujton bashkëpunimin që kishte me doktor Sherifin, pas luftës si mjek i TMK-së.

Cikaj tha se me doktor Sherifin ka bashkëpunuar në logjistikën e shëndetësisë, gjatë luftës në Maqedoninë e Veriut.

“Kontributi i tij në shërimin e ushtarëve dhe civilëve të luftës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka qenë i jashtëzakonshëm”, shprehet  Cikaj.

Ish-komanda i UÇK-së, Zafir Berisha tha se doktor Sherifi ka bërë shumë për Kosovën.

“Ishte njeri që nuk u ndal asnjëherë për t’i shërbyer lirisë së Kosovë. Ai shëroi plagët e luftës për të jetuar në liri”, vlerëson Berisha, tha ai për prizrenpress.

Dr. Sherif Krasniqi u varros në varrezat e dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.