Pas publikimit të audio-incizimeve, shkarkohet drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare
Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë për Inteligjencë Financiare, është shkarkuar sot pas publikimit të audio-incizimeve në të cilat ai tregon se si ndikon te personat e caktuar nëpër institucione dhe për planin e tij për kapjen e sistemit medial në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Në audio-incizimet e transmetuara nga mediumi “Shqip”, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.

