Pasagjeri që do të fluturonte për Kosovë kërcënon me bombë

Një 32-vjeçar, me rastin e kontrollit të sigurisë në Aeroportin Berlin Brandenburg (BER) kishte thënë se kishte eksploziv në brez.

Shërbimet e urgjencës e kontrolluan menjëherë dhe nuk gjetën asgjë të rrezikshme. Sidoqoftë, ai u përjashtua nga fluturimi për në Kosovë.

Vetëm një javë pas një deklarate të ngjashme, edhe një rast për një bombë të dyshuar ka shkaktuar një operacion policor në aeroportin BER të kryeqytetit, shkruan Dpa.de.

Gjatë një kontrolli sigurie mëngjesin e së mërkurës, një 32-vjeçar mësohet të ketë thënë se kishte eksploziv në brez, siç ka njoftuar Policia Federale të enjten.

Prandaj, personi në fjalë është skanuar menjëherë në zonën e barkut.

Më pas shërbimet e urgjencës e kanë kontrolluar atë dhe bagazhin e tij, por nuk kanë gjetur objekte të rrezikshme.

Policia Federale ka nisur hetimet ndaj pasagjerit për prishje të qetësisë publike pasi kishte kërcënuar se do të kryente një krim, përcjell albinfo.ch. Atij i është ndaluar edhe fluturimi për në Aeroportin e Prishtinës, në Kosovë.

Në njoftimin medial nuk saktësohet nëse pasagjeri ishte shtetas i Kosovës ose jo