PD përshëndet marrëveshjen në Bruksel, falënderon mikun strategjik të Kosovës

Partia e Drejtësisë përshëndet arritjen e marrëveshjes për targa ndërmjet Kosovës e Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkësia Europiane dhe ShBA-të si derë hyrëse për miratimin urgjent të propozimit Franko-Gjerman (Europian) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

PD në vazhdimësi ka qenë falënderuese ndaj mikut strategjik ShBA-së për përkushtimin parimor e të vendosur për drejtësi e barazi në Ballkan, sikurse e dëshmoi edhe gjatë kësaj faze të procesit negociator.

Partia e Drejtësisë konsideron se në fazat e ardhshme të bisedimeve duhet siguruar që zbatimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe të ndërlidhet me anëtarësimin paraprak të Kosovës në NATO, si hap i parë për anëtarësimin në BE e OKB, si dhe përfundimisht njohjen e shtetësisë nga Serbia.

PD pret nga qeveria e vendit që në periudhën e ardhshme të sigurojë shkallën maksimale të koordinimit të veprimeve me ShBA-të dhe shtetet përkrahëse të BE-së, bashkëpunimin dhe koordinimin me opozitën, dhe në të njëjtën kohë edhe me faktorët politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik, pas marrëveshjes në Bruksel.