PDK premton rritje 30 për qind të pensioneve për veteranët

Rritje 30 për qind të pensioneve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka premtuar kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën kur komisioni për verifikim të veteranëve u shpall i pafajshëm mbi akuzën për fryrje të listave.

Duke folur për mungesën e themeluesve të UÇK-së dhe ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që janë duke u gjykuar nga Gjykata Speciale në Hagë, Hoxhaj në një takim me veteranë, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës në Mitrovicë, ka thënë se ka bindjen se ata do të kthehen fitimtarë.

“Nuk është e lehtë me pa ditën e njëjtë kur kryetari i partisë ose presidenti i Republikës ngritet në këmbë para një gjykate e thotë emrin dhe mbiemrin, dhe ditën e njëjtë në Serbi, në Rashkë, në 14 metra thellësi gjenden trupa të pajetë të shqiptarëve, të cilët janë vrarë në Kosovë dhe krimi i bërë në Kosovë fshihet në thellësi të tokës serbe”, ka deklaruar Hoxhaj para të pranishmëve, thuhet në njoftim të PDK-së.

Ai u ka thënë veteranëve se “prioritet mbi prioritetet e kemi pozitën tuaj”.

“Bedri Hamza ka biseduar gjatë me ekspertët më të mirë të ekonomisë, ne do t’i rrisim pensionet e veteranëve deri në 30 për qind. Jemi shumë të vendosur që të ketë rritje të pensioneve të veteranëve deri në 30 për qind, që mos të ketë ndërprerje të pensioneve nëse dikush ka kontratë pune diku tjetër dhe që për familjet e dëshmorëve nëse një familje e ka një dëshmor ose dy dëshmorë, duhet të marrë jo vetëm një pension, po duhet t’i marrë sa dëshmorë ka”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka shtuar se “nuk ka parti tjetër në vend që mund të marrë vendime të mëdha, siç është Partia Demokratike e Kosovës”, teksa ka kritikuar dy ish-qeveritë, atë Kurti dhe Hoti se lejuan shkelje të sovranitetit të Kosovës.

“Kur ka menduar dikush në Mitrovicë që në 2020 fillon viti sa ka qenë një qeveri Kurti, duke marrë teste nga Serbia, dhe sa ka qenë një qeveri Hoti, duke marrë vaksina prej Serbisë. Ajo nuk ka qenë vetëm shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial, por ka qenë shkelje e integritetit personal të çdo qytetari të Mitrovicës dhe të çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë ai.