Për Arben Vitinë, shëndeti i popullatës, më pak i rëndësishëm se pushteti komunal

Vana Jerliu Ramadani

Kandidatura e Arben Vitisë për kryetar të komunës së Prishtinës, në kohën e pandemisë, më nxiti t`i bëjë një analizë skenës politike në Kosovë, në prizmin aktual.

Dihet se në gjendje pandemie, Ministri i Shëndetësisë luan një rol shume te madh. Duhet pranuar se një pjesë e popullatës shume u gëzuan kur z. Vitia u emërua në krye të kësaj Ministrie. U zgjua ndjenja e shpresës se z. Vitia është njeriu i duhur për këtë pune, pavarësisht se përgjegjësia ishte e madhe.

Një pjese e qytetarëve kishte pritje te mëdha se ai do te punojë si është me se miri dhe se profesioni dhe etika e tij e mjekut do t`i ndihmojnë edhe me shume në këtë pune, që shëndetin e popullatës ta ketë prioritet kryesor.

Sa shume u habita dhe u dëshpërova kur dëgjova se ai do te jete kandidat për kryetar te komunës se Prishtinës. I bëra vetes pyetje: si ka mundësi te jete ai, tani që është Ministri i Shëndetësisë dhe kur jemi në pandemi. Si ka ai kohe te merret me gara komunale, me fushate, kur ai ka aq shume obligime, saqë disa prej nesh kemi pasur vullnetin edhe të ndihmojmë shëndetësinë e Kosovës. Si ka mundësi ai te pranojë një gjë te tille kur ka obligim moral t`i qëndrojë pranë popullit të Kosovës, sidomos në këtë krizë shëndetësore?

Arben Vitia me pat habitur edhe kur pat vendosur t`i heq maskat, pra te mos jetë obligim mbajtja e maskave këtë vere, kur si shtet ishim aq mbrapa me vaksinimin e popullatës kundër COVID-19.

Me vendimin per kandidim për kryetar te komunës, VV sigurisht se e dinë mire se Arben Vitia është njeriu i merituar. Por pyetja ime është se, nëse ai është njeriu i merituar, pse pra kësaj radhe VV nuk e vuri prioritet shëndetin e popullit dhe pse nuk e lanë z. Vitia te vazhdojë punën e tij dhe te kryej obligimin moral para popullatës, aty ku tani shoqërisë i duhen me se shumti njerëzit e merituar.

Apo VV ka vendosur duke e pasur parasysh se ai sjellë vota shume dhe ka mundësi të fitojë komunën e Prishtinës, duke e injoruar krejtësisht rëndësinë e shëndetit të popullit.

Sigurisht nuk kanë menduar se, nëse nuk ka jete ne Prishtine, nuk ka nevoje as për Kryetar. Po edhe nëse VV ka menduar se është ideja me e mire se njeriu me i merituar e shume i votuar te kandidohet, sa mire do te ishte dhe do ta respektonin shume nëse z. Vitia do ta kishte refuzuar një rast te tille për arsye se jemi ne dite te vështira pandemie dhe t`i qëndronte besnik popullit te vetë, duke i premtuar se do te vazhdojë punën e tij, me vullnetin me te mire dhe me etiken profesionale qe e ka mësuar gjate shkollimit në mjekësi.

A ka vepruar me egoizëm VV dhe z. Vitia, nuk është vështirë për ta kuptuar, vetëm se duhet te jemi te sinqertë dhe real.

Sa ka rëndësi shëndeti i popullit,  kur janë në pyetje interesat partiake, këtë e kemi kuptuar ka disa vite, por nuk do te thotë se ndryshimi nuk është i mundur. Vetëm duhet popullata te vetëdijesohet se ndryshimet janë te domosdoshme me shume se kurrë.

Uroj dite me te mira për Kosovën, me shprese se populli te vetëdijesohet dhe te ngrit zërin sa here qe ka nevoje për te mirën e shoqërisë.

Dua të sqaroj në fund se personalisht nuk kam interesa politike dhe as nuk jam duke sulmuar për qëllime politike, por problemin e kam kundruar nga këndi i profesionistes së shëndetësisë.