Pensionohet urologu i njohur nga Gjilani, dr. Nexhat Shabani
Pas 41 viteve në shërbim të pacientëve, është pensionuar urologu i njohur nga Gjilani, dr. Nexhat Shabani.
Menaxhmenti i Spitali të Përgjithshëm të këtij qyteti i ka organizuar një ceremoni, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij.
Njoftimi i plotë i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit:
Pas 41 viteve në shërbim të pacientëve, pensionohet mjeku i shërbimit të urologjisë
Drejtori i Spitalit, Dr. Afrim Cana, ndau mirënjohje për Dr. Nexhat Shabani me rastin e pensionimit të tij.
Me këtë rast, drejtori Cana u shpreh: Më lejoni të përsëris se Dr. Nexhati është model i një mjeku me përvojë të gjatë në shëndetësinë publike, përkushtimi dhe profesionalizmi i të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. E falënderojmë për kontributin e dhënë ndër vite dhe i dëshirojmë shëndet, mbarësi dhe pensionim të qetë.
Në emër të kolegëve, udhëheqësi i Shërbimit të Urologjisë, Dr. Mervan Tosku, vlerësoi lart punën dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Dr.Nexhatin, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë shembull i profesionalizmit, etikës dhe përkushtimit ndaj pacientëve.
Nga ana e tij, Dr. Nexhat Shabani falënderoi kolegët dhe menaxhmentin për vlerësimin e treguar, duke theksuar se gjatë karrierës së tij kanë realizuar shumë vepra të mira si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë profesional.
Jam krenar për punën që kemi bërë së bashku ndër vite, mbi të gjitha, mbetem i lumtur për shërbimin që u kemi ofruar pacientëve dhe për marrëdhëniet njerëzore e profesionale që kemi ndërtuar.
Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin dhe respektin e treguar.

