Përballë një ‘dimri të madh’, paralajmërohet krizë energjetike në Kosovë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, paralajmëron sërish një dimër të vështirë energjetik për Kosovën dhe Evropën, duke përmendur çmime deri në 500 euro për megavat-orë në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë, katër vjet pas paralajmërimeve të ngjashme, mbetet e paqartë se cilat masa konkrete po ndërmerr Qeveria për ta përgatitur vendin për sezonin e dimrit.

Në një intervistë televizive Rizvanolli ka paralajmëruar se Kosova dhe pjesa tjetër e Evropës do të përballen me vështirësi gjatë këtij dimri, si në aspektin e furnizimit me energji elektrike, ashtu edhe për sa i përket çmimeve.

Sipas saj, çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur deri në 500 euro për megavat-orë, ndonëse temperaturat ende nuk kanë rënë ndjeshëm dhe dimri nuk ka hyrë në fazën e tij më të ftohtë.

Ministrja ka fajësuar konfliktin në Iran dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për këtë situatë, duke e krahasuar atë me krizën energjetike të dimrit të vitit 2021.

“Nëse mund ta përmbledh shkurt, ky dimër do të jetë një dimër i vështirë për gjithë Evropën, madje globalisht. Sa për ilustrim, nëse ju kujtohet në dimrin e vitit 2021 kishim një krizë që në atë kohë ishte e paprecedentë, në kohën e Krishtlindjeve, kur çmimi dhe konsumi ishte rritur, kishte arritur çmimi në tregje ndërkombëtare pak më shumë se 500 euro për megavat/orë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se edhe këtë vit, në gjysmën e parë të nëntorit, çmimet kanë arritur në nivele të ngjashme, pa pasur ende rënie të ndjeshme të temperaturave.

“Sot, përderisa po flasim, jemi në gjysmën e parë të nëntorit dhe qysh në ditët e para, ende pa u bërë shumë ftohtë, në tregje ndërkombëtare ka arritur çmimi 500 euro. Arsyeja kryesore për këtë është konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit”, ka thënë ministrja.