Përfundon mbledhja, nuk ka marrëveshje mes Qeverisë dhe BSPK-së

Pas takimit që delegacioni i SBASHK-ut ka pasur me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me grevën në arsim, palët kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Social.

Në takimin e Këshillit Ekonomik Social ka marrë pjesë ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Por, para pak minutave, Mbledhja e Këshillit Ekonomik Social ka përfunduar, pa një marrëveshje konkrete mes Qeverisë dhe BSPK-së.

Kryesuesi i KES-it, Atdhe Hykolli, tha se dialogu mes palëve do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të vikendit.

“Ne diskutuam për kërkesat tona përpjekjet janë të dyanshme po shpresoj që shumë shpejt ne do të dalim me lajme pozitive. Atmosfera ka qenë edhe tensionuese. Kemi sinjale na të dyja anët që mund të ecim përpara. Ishin përfaqësues të qeverisë, ministri Hekuran Murati dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci. Dialogimi i ka rrugë të vetme dhe momentalisht jemi në këtë situatë. Sa më shpejt që të jetë e mundur të mbahet takimi sonte ose nesër”, u shpreh Hykolli.

Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është vendosur që të ketë edhe një takim tjetër.

“Biseduam gjerë e gjatë në përpjekje që këshilli ekonomik të krijojë rrugë që qeveria të ulet me BSPK. Debatuam për të gjitha çështjet dhe u munduam të gjejmë rrugë të përbashkët. Fatkeqësisht këshilli nuk është ai që vendos, por që ne jemi optimist që nesër e pasnesër jemi të gatshëm të bisedojmë. Urojmë që qeveria të caktojë ekipin e vet. Cdo gjë është e hapur dhe uroj që qeveria nesër ose pasnesër qeveria të gjejë kohë dhe të arrijmë zgjidhje”, tha Jasharaj.

Në një përpjekje tjetër për të gjetur një zgjidhje rreth situatës së krijuar nga greva e përgjithshme në arsim e administratë, kryesuesi i Këshillit Ekonomik Social, Atdhe Hykolli kishte ftuar të gjithë partnerët social në një mbledhje të përbashkët.

KES-i përbëhet prej pesëmbëdhjetë anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e organizatave të punësuarve, organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë.

KES-i përbëhet prej pesëmbëdhjetë anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e organizatave të punësuarve, organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë.

Ne mesin e pjesëmarrësve, në këtë mbledhje janë të ftuar të marrin pjesë 5 anëtarë nga Qeveria e Kosovës, ndër ta ministri i Financave dhe ajo e Arsimit.

Këshilli Ekonomik Social përbëhet nga pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e të punësuarve, pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e punëdhënësve dhe pesë përfaqësues të cilët caktohen nga Qeveria e Kosovës.

Këshilli Ekonomiko-Social i themeluar me ligj ka qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe profesionale, që realizohen, përmes zgjidhjeve të kontesteve me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe. /Periskopi/