“Përpara ka pasë burra, tash s’ka ma…”

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet tjera brenda kësaj periudhe si “të 68-tën”, “81-shin” e për të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim…

Adem Hysen Maliqi (25.07/1922) është njëri nga këta njëshekullorë, i cili thotë se “përpara ka pasë burra, tash s`ka ma, jeni ba si gratë”.

Ademi Maliqi jeton në Kamenicë me familjen e tij. Gjatë vizitës që i bëmë (9 dhjetor 2017), mixha Adem ishte fizikisht mjaft vital dhe i shëndetshëm, por sipas djalit tij, kujtesa e kish tradhtuar tash, shkaku i pleqërisë.

Ai nuk hezitonte, për aq sa i lejonte shëndeti, të bisedonte me ne. Ishte i këndshëm dhe komunikativ.

“Në kohën tonë u kanë shum shtirë agjës, shum punë kemi pasë… edhe atëherë nuk ka pasë si sot traktora e kombaja, krejt u dashtë m’i ba vetë. Nuk u kanë lehtë me prashitë, me mjellë, me ba lavër e m’i fshi lamtë … Verës kemi pas shum punë”.

Duke na përcjellë, s’e la pa na e thënë edhe këtë: “Përpara ka pasë burra, tash s’ka ma, jeni ba njahit si gratë”. /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/

…………………………………………………………

Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.