Përse u arrestua sot kjo qytetare para Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë?

Policia e Kosovës sot rreth orës 09:00 e ka arrestuar një qyetatre para Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se pjesëtarët e sigurimit dhe zyrtarët e ambasadës kishin pasur probleme me një femër, andaj Policia ka reaguar duke e arrestuar.

“Sot rreth ores 09:00, është raportuar se te një ambasadë në Prishtinë, pjesëtarët e sigurimit dhe zyrtarët atje kanë disa probleme me një person (femër). Policia ka reaguar dhe është duke e trajtuar rastin”, ka thënë Hoxha.

Ai ka treguar se e arrestuara ka refuzuar të japë deklaratë në Polici, ndërsa ka shtuar se ajo është dërguar për tretman mjekësor.

“Megjithëse e njëjta ka refuzuar edhe dhënien e deklaratës në polici, pas konsultimeve me prokurorin, e njëjta përcillet për trajtim mjekësor sipas nevojës për të vazhduar pastaj me procedurat tjera ligjore”, ka deklaruar Hoxha per Sinjali.

Ndërsa, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka treguar se ndaj të arrestuarës është hapur rasti “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

“Sot rreth orës 09:00 policia ka marrë informatën për një mosmarrëveshje në rrugën “Adrian Karasniqi” në Prishtinë. Lidhur me këtë rast që është hapur “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, është shoqëruar në stacion policor një person. Njësitet përkatëse në bashkëpunim me prokurorin kujdestar po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.