Përveç 400 kilogramëve të kokainës, policia dje konfiskoi armë dhe afro 26 mijë euro
Një aksion i madh policor është realizuar për disa ditë radhazi në kuadër të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës, asaj të Shqipërisë dhe policisë italiane.
Në bazë të hetimeve të njëpasnjëshme gjatë ditës së djeshme është arritur që të konfiskohen afro 400 kilogramë narkotikë të llojit kokainë.
Nga Policia e Kosovës është theksuar se gjatë këtij aksioni janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy revole, një TT dhe një me gaz, 50 copë fishekë të cal.7,62mm, 25925 euro para kesh, 200 denar maqedonase, një veturë, gjashtë telefona celularë, 6 kompjuterë, dy llaptop, katër DVR dhe një hard-disk.
“Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotik në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 400 kg, ndërsa gjatë kontrollit në disa lokacione tjera janë gjetur dhe sekuestruar: dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc. Të gjitha veprimet janë ndërmarre në konsultim me gjyqtaren e procedurës paraprake dhe prokurorin e prokurorisë speciale. Shtatë të dyshuar meshkuj kosovar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Duhet përkujtuar që nga ky rast janë arrestuar shtatë persona të dyshimtë, ndërsa nga drejtori i Policisë së Kosovës u theksua se operacioni është duke vazhduar ende.
Këto substanca narkotike sipas hetimeve të para kishin ardhur si fillim nga Brazili dhe si destinacion kishin Gjermaninë. Të njëjtat ishin fshehur në paketime të ndryshme të produkteve të mishit, në kuadër të dy kompanive njëri nga pronarët kosovarë e tjetri nga Shqipëria.