Plakës 91-vjeçare nga Kërçova i kthehet prona e dhuruar

I kthehet prona lokes Nafije Saliu, e cila e kishte dhuruar tek Bekim Seferi për dhuratë. Gjatë ditës së djeshme në shtëpinë e lokes qëndruam bashkë me personin që lokja ia ka dhuruar pronën, dhe me Avokatin e Popullit në Kërçovë, Ylber Rufatin, shkruan tetovasot.com

Bekimi thotë se e ka lutur loken ta marrë te shtëpia e tij por ajo ka dashur të qëndrojë te malli i burrit të saj, edhe dje ai para të gjithëve i ofroi tre opsione ta merrte në shtëpi, të vinte ai të jetonte aty ose t’i kthente pronën.

Lokja kërkoi që t’i kthehet prona dhe Bekimi e plotësoi dëshirën e saj pa e kundërshtuar edhe pse thotë se ata vetë më ngulm ia kanë dhuruar pasurinë pasi që ky është kujdesur për bashkëshortin e Nafijes.

“Pa asnjë interes por për hir të Allahut u kujdesa për bashkëshortin e saj i cili ishte i palëvizshëm deri në frymën e fundit, ku më pas zonja Nafije bashkë me vëllezërit e saj ma dhuruan pronën edhe pse refuzoja ta pranoja në fillim, ata më thanë se bashkëshorti i Nafijes e ka lënë me amanet këtë gjë pasi unë jam kujdesur për të sikur të ishte prindi im. Kështu vazhdova të kujdesem edhe për zonjën pas vdekjes së bashkëshortit, ia dërgova vëllain me nusen e tij të mos qëndrojë vetë natën sepse unë jam me më shumë anëtarë, se shtëpia nuk na merrte të gjithëve , por pas një periudhe largoi vëllain nga shtëpia dhe ai doli që ajo të mos ndjehet keq në shtëpinë e saj që tanimë ishte në emër të tij , dhe ai nga ai moment refuzonte të komunikojë me ne, dyshoj që dikush e manipulon atë”, deklaroi Seferi.

Por pas gjitha përpjekjeve dhe pas gjithë situatës së krijuar Bekim Seferi ka vendosur t’ia kthejë pronën dhe të kujdeset për të kur ka nevojë pa asnjëfarë lloj interesi.

“Gjithashtu edhe tani në prezencë të Avokatit të Popullit, myftiut dhe mediumit tuaj e luta të vijë në shtëpinë time ose unë të kujdesem për të në shtëpinë e saj ajo sërish refuzoi. Pasi që refuzon që unë të kujdesëm për të siç kam bërë vite më parë edhe për bashkëshortin e saj unë dua t’ia kthej edhe pronën edhe shtëpinë zonjës sërish. Dua të theksoj se asnjëherë nuk i është bërë preson të dal nga shtëpia dhe nuk e kam shitur pronën e saj. Ju lutem të mos keqpërdoret emri im dhe integriteti im me të pa vërteta, kam dëshmitarë Allahun Fuqiplotë për gjithë këtë që kam. Unë pronën do ia kthej dhe do vazhdoj me aq mundësi sa kam t’i ndihmoi sërish sa herë të ketë nevojë”, deklaroi Seferi

Lokja Nafije Saliu e falënderoi Bekimin që ia ktheu shtëpinë e saj dhe e falënderoi për kujdesin që ka treguar në vitet e kaluara. Ajo ishte tejet e gëzuar dhe falënderoi të gjithë që e kanë mbështetur.

“Allahu qoftë i kënaqur me ju, Zoti ju shpërbleftë me gjithçka, ju keni vënë dorë në mua, Zoti vëntë dorë mbi ju sepse unë nuk kam si t’ua shpërblej, nuk kam si t’ju bëj nder, ju më bëni nder mua Zoti ua shpërbleftë”, tha Nafije Saliu.

Ajo falënderoi edhe Bekimin që ia plotësoi dëshirën.

“Faleminderit 100 herë”, u shpreh Nafije Saliu.

Avokati i Popullit në Kërçovë Ylber Rufati thotë se ata do të jenë në terren gjatë gjithë kohës me qëllim që drejtësia çdo herë të vihet në vend.

“Pas një diskutimi të gjatë arritëm deri te një marrëveshje paraprake, ku palët shprehen vullnetin e tyre të lirë që prona e gjyshes Nafije t’i kthehet por kthimi do të jetë pasi të shkruhet një akt ligjor me noterizim. Shpreh falënderim deri te ju dhe te të gjitha palët e përfshira këto 4 ditë dhe dua të them se Avokati i Popullit do të jetë gjithmonë në mbrojte të qytetarëve”, potencoi Ylber Rufati – Avokat i Popullit dega Kërçovë.

Tranferimin e shtëpisë në emrin e Bekim Seferit lokja e ka transferuar në vitin 2013 ndërsa në vitin 2014 ai ia ka dhuruar vëllait të tij siç thotë ai me qëllime të mira që zonja Nafije të mos rrijë vetëm, por siç duket lokes nuk i është bërë qejfi për këtë dhe pas një kohe që kanë jetuar bashkë lokja ka mbetur sërish vetë dhe nuk ka pranuar të kujdesej as nga Bekimi as nga vëllai i tij. Që nga ajo kohë për të janë kujdesur komshinjtë e saj dhe vazhdojnë të kujdesen sërish për të.

Ditëve të fundit në internet janë hapur disa profile fallco me pretekstin se kërkohet ndihmë për loken, informacione të cilat bëhen vetëm për përfitime personale sepse lokja nuk ka nevojë për ndihmë financiare. Këtë e theksojmë me qëllim që të mos keqpërdoren njerëzit bamirës.