Plani i Anglisë për Covid po kërcënon botën, sipas 1200 shkencëtarëve

Plani i Boris Johnson për të hequr pothuajse të gjitha kufizimet anti-Covid në Angli të hënën është një kërcënim për botën dhe siguron terren pjellor për shfaqjen e varianteve rezistente ndaj vaksinave, thonë ekspertët ndërkombëtarë.

Pozicioni i Britanisë së Madhe si një qendër transporti global do të nënkuptojë se çdo variant i ri do të përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, paralajmëruan shkencëtarët dhe mjekët në një samit emergjence.

Këshilltarët qeveritarë në Zelandën e Re, Izrael dhe Itali ishin midis atyre që ngritën alarmin, ndërsa më shumë se 1,200 shkencëtarë mbështetën një letër drejtuar revistës Lancet (revistë mjekësore e vlerësuar nga kolegët) që paralajmëron se strategjia mund të lejojë zhvillimin e varianteve rezistente ndaj vaksinave.

“Ne nuk mund ta kuptojmë pse kjo po ndodh, megjithë njohuritë shkencore që keni,” tha Prof. José Martin-Moreno, një këshilltar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Të tjerët paralajmëruan që qasja e qeverisë britanike do të imitohej, për përshtatshmëri politike, nga autoritetet diku tjetër nëpër botë.

“Për shkak të pozicionit tonë si një qendër globale udhëtimesh, çdo variant që bëhet dominues në Mbretërinë e Bashkuar do të përhapet në pjesën tjetër të globit. Politika e Mbretërisë së Bashkuar nuk ndikon vetëm te ne. Ndikon te të gjithë dhe të gjithë kanë një interes në atë që bëjmë.” – tha Prof. Christina Pagel, drejtoresha e njësisë së hulumtimeve operacionale klinike në University College London, shkruan anabel.

“Ne besojmë se qeveria po fillon një eksperiment të rrezikshëm dhe jo etik dhe ne i bëjmë thirrje asaj të ndërpresë planet për të braktisur masat më 19 korrik 2021,” shkruhet në letrën drejtuar Lancet.