Po vijnë bashkatdhetarët, kolona veturash në vendkalimet kufitare

Sipas një tradite të deritashme, një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve prerferojnë që festat e fundvitit t`i kalojnë me familjet e tyre në Kosovë. Ata po vijnë. Në vendkalimet kufitare kanë filluar të krijohen kolona veturash.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se në vendkalimin kufitar te Dheu i Bardhë kolonat arrijnë deri në 600 metra dhe pritjet zgjasin nga 90-120 minuta.

Në pikën kufitare në Merdare, kolonat e automjeteve arrijnë deri në 100 metra.

Në pikat e tjera kufitare të Kosovës me Serbinë nuk raportohet për pritje dhe kolona.

Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që duan të hyjnë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare, duhet të paraqesin testin negativ për koronavirus, nëse nuk kanë dëshmi të vaksinimit.

Ndryshe në masat anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 1 dhjetor, thuhej se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;

-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

-Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij (Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19), thuhej në vendim.