Policia jep detaje për dy të dyshuarit e rastit në Leposaviq: Njëri i përfshirë në 80 vepra penale, tjetri në 17 vepra

Policia e Kosovës ka dhënë informacione të reja lidhur me rastin e ndodhur sot në Bistricë të Leposaviqit.

Personat e dyshuar, të përfshirë në këtë rast, sipas të dhënave të policisë rezultojnë me të kaluar kriminale dhe të përfshirë në dhjetëra veprave penale.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (D.S. 1991), dyshohet të jetë i përfshirë në mbi 80 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, detyrim, armëmbajtje pa leje, sulm, pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje, vjedhje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, grabitje etj., etj. I njëjti ka kryer edhe mbi (20) kundërvajtje”, thuhet në këtë njoftim.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, sqaron Policia e Kosovës, dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale.

“I dyshuari mashkull kosovar me iniciale (M.D. 1985), dyshohet të jetë i përfshirë në 17 vepra penale, nga to i dyshuar edhe për vepra penale si; vrasje, shtrëngim, armëmbajtje pa leje, vjedhje e rëndë, lëndim i rëndë trupor, kalim i paautorizuar i kufirit, manipulim me prova. I njëjti ka kryer edhe (3) kundërvajtje. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim, si dhe parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale”, thuhet në fund.