Policia ka plagosur një 29-vjeçar në Prishtinë pasi kishte qëlluar një kalimtar që nuk po iu bindej urdhrave të tyre

Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të reja në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmë në ‘Rrugën B’ në Prishtinë, ku një 29-vjeçar i dyshuar për plagosjen e një kalimtari të rastit, është plagosur nga ana e policisë dhe më pas është arrestuar.

Të dy të plagosurit janë në gjendje stabile, njofton policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Mbrëmë rreth orës 22:00 kemi pranuar informatën për një gjuajtje me armë në rrugën “B” në Prishtinë.

Rastit i janë përgjigjur njësiti policor që gjendej në një pikë kontrolli në afërsi të vendit të ngjarjes. Pas intervenimit policor edhe përkundër dhënies së urdhrave verbal, njëri nga personat e dyshuar nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë dhe në vazhdimësi ka shtënë me armë zjarri në drejtime të ndryshme dhe ka plagosur edhe një kalimtar rasti.

Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për qytetarët dhe për vet zyrtarët policorë, polica domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll, me çrast është plagosur personi i dyshuar. Personit të dyshuar po ashtu i është sekuestruar arma e përdorur në rast.

Personat e lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

Personit të dyshuar R. R, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i është shqiptuar masa e ndalimit ndërkohë që nga hetuesit  po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti.

Strukturat Policore të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale.