Qeveria ndan 3 milionë euro shtesa për punëtorët e arsimit

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 3 milionë eurove për Ministrinë e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor gjatë pandemisë.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se këto 3 milionë euro janë nga 5 milionëshi që është ndarë nga fondi për Rimëkëmbje Ekonomike te Ministria e Arsimit për mbarëvajtjen e vitit shkollor.

“Kjo është shtesa e parë e cila do të paguhet në muajin shkurt dhe përfshinë të gjithë personelin që është angazhuar në arsimin primar dhe sekondar”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka bërë të ditur po ashtu se për muajt shkurt dhe mars, edhe për zyrtarët policorë do të ndahen 700 mijë euro, për zjarrfikësit 180 mijë euro, për punëtorët në qendra sociale – 78 mijë euro, për profesionistët shëndetësorë – 100 mijë euro, për punëtorët teknikë për shërbimin e pastrimit dhe sigurimin e institucioneve shëndetësore – 160 mijë euro.