Policia në Gjilan zbarkon në shtëpinë e një të dyshuari për pastrim parash

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me saktësisht nga Sektori për Hetime Financiare, sot më 24.11.2022 në Gjilan kanë zhvilluar operacionin e kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar me qëllim të sigurimit të dëshmive materiale në lidhje me veprën  penale ,,pastrimi i parave“ të cilën i dyshuari dyshohet ta ketë konsumuar gjatë periudhës kohore tetor 2022.

Kontrolli është realizuar duke u bazuar  në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I dyshuari përmes rrjetit  social  ,,Tik-Tok“ ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jene përfituar nga  kryerja e veprave penale të ndryshme.

Gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave si dhe një telefon celular.

I dyshuari  nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jete në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Të gjitha veprimet hetimore dhe operative janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës, thuhet në njoftim.