Prej kur ekziston kali, ekziston edhe saraçi

Zanati i saraçëve apo lëkurëpunuesve ekziston që herët dhe ka vazhduar të zhvillohet në periudha të mëtejme.

Saraçët ishin zejtarë të cilët prej lëkurës së regjur bënin komplet pajisje për shalimin e kalit, si shalë, jakna të kalit, dizgjinë, hama, frerë, pastaj kuleta, fishekli, qese për duhan dhe sende të tjera.

Në të dhënat e literaturës së kohës, në fillim të shekullit XX, në Gjilan ishin evidentuar 4 dyqane të saraçëve.

Në regjistrat e Odës Zejtare të Rrethit të Gjilanit, për periudhën midis dy luftërave botërore, gjejmë të regjistruar 8 mjeshtër saraç.

Mirëpo, me shtimin e vrullshëm të mjeteve të komunikacionit e transportit, përdorimit të traktorëve për bujqësi etj., ndodh rënia e shpejtë dhe zhdukja e kësaj zejeje, e cila gradualisht është transformuar në zeje tjera si galanteri-prodhimin e çantave dhe atë të këpucëtarëve.

Një anekdotë për saraçët

Një fshatar kishte pyetur nga kureshtja një saraç:
– Mjeshtër, prej kur ekziston zeja e saraqeve?
– Prej kur?!…u habit mjeshtri
– Hë… Zanat i vjetër, prej se ekziston kali!

Fshatari i çuditur vetëm shikoi dhe ngriti supet.

Kush ishin saraçët e Gjilanit në kohërat e hershme, ku i kishin dyqanet e tyre në Gjilan në periudha të ndryshme kohore e shumë të dhëna tjera rreth saraçëve mund t’i mësoni nga libri “Zejtaria e Gjilanit”/Faik Ziyazade