Prej tani, masat për komuna do t`i merrë Ministria e Shëndetësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sapo ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka folur për masat që do të merren pas datës 13 prill, kur përfundon afati i vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes, sipas Gjykatës Kushtetuese.

‘’Koha nëpër të cilën jemi duke naviguar nuk është noramle, situata emergjente që është krijuar si rezultat i kësaj pandemie nuk na ka dhënë shumë hapësirë. Ne jemi të përkushtuar që të veprojmë para se të bëhet vonë’’, ka thënë Kurti.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ai tha se Gjykata asnjëherë nuk e ka kontestuar vendimin në tërësi, por ka thënë se vendimi duhet të merret vetëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo për të gjithë territorin e Kosovës.

“Prej sot vendimet i merr Ministria e Shëndetëisë, për komuna të caktuara, me rekomandime që vijnë nga IKSHPK”, ka thënë kryeministri.

Ai rikujtoi qytetarët se Covid është një virus që po vret.

“Sfida është e madhe, ashtu kur i shtohet edhe fakti se kemi një sistem të shëndetësisë që lë për të dëshriuar. Kemi përballuar sfida të shumta, do të dalim edhe nga kjo sfidë e më të fortë e më të kujdesshëm se kurrë më parë’’ tha Kurti.