Presidenti: Do ta respektojë vullnetin e partive politike për qeverinë e re

Pas konsultimeve që ka pasur sot me liderët e tri partive më të mëdha parlamentare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për formimin e  një qeverie të re gjithëpërfshirëse, është deklaruar edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi ka thënë se pavarësisht vështirësive që i kemi nga koronavirusi, jeta institucionale dhe funksionimi i demokracisë do të vazhdojnë.

“Sot si president i vendit, duke respektuar Kushtetutën, mandatin tim, pas mocionit të mosbesimit, jam detyruar që të filloj konsultat me partitë politike për hapat e mëtutjeshëm në funksionimin e institucioneve të Kosovës, apo themelimin e institucioneve të reja”, tha presidenti.

“Sot kam takuar kryetarin e LVV’së, kryetarin e LDK’së me ekipet e tyre dhe kryetarin e PDK’së. Nesër do të vazhdoj t’i takoj liderët tjerë në mënyrë që të krijoj një bazë të opinioneve apo të formësoj veprimet e mëtutjeshme që duhet t’i ndërmarr si president i vendit. Bazë e imja do të jetë respektimi i plotë i legjitimitetit qytetar duke marrë parasysh në tërësi edhe mocionin e votëbesimit me 25 mars. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarrë si president pas konsultimeve do të jenë transparente në përputhje me Kushtetutën, ligjet por edhe praktikat e mëhershme. Pra do të jetë një proces i konsultuar kushtetues dhe ligjor për të cilin ju do të njoftoheni menjëherë”, ka deklaruar presidenti.

Derisa presidenti do t`i vazhdojë konsultimet edhe nesër me subjektet tjera, qëndrimet e liderëve të LVV, LDK e  PDK rreth nismës për formimin e një qeverie të re, janë të ndryshme.

Albin Kurti (LVV) ishte kundër kësaj ideje. Ai kërkon zgjedhje të reja.

“Nuk mund të ketë qeveri të re, pa Kuvend të ri. Presidenti nuk duhet të merret me emra kandidatësh e subjektesh sa i përket qeverisë, por me datë zgjedhjesh”, ka thënë Kurti, pas takimit me Presidentin

Isa Mustafa (LDK) përkrah idenë për formimin e një qeverie të re, sepse në këtë kohë pandemie nuk mund të ketë zgjedhje.

Kadri Veseli (PDK), po ashtu favorizon idenë e presidentit, por thotë se PDK-ja nuk përfshihet në qeverinë e re, sepse do të mbetet opozitë./mediafokus.info