Presidenti e fton Kurtin, ai nuk ndodhet në Prishtinë

Pas një kohe të gjatë në armiqësi politike, Hashim Thaçi, president i Kosovës dhe Albin Kurti, kryetar i LVV-së, do të takohen për herë të parë. Takimi do të mbahet në orën 13:30 në Presidencë.

Hashim Thaçi do ta presë në takim sot në Presidencë liderin e LVV-së, Albin Kurti. Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, Thaçi ka thirrur Kurtin në takim konsultativ.

Gazeta Express ka siguruar letrën që Thaçi ia ka dërguar Kurtit, ku thuhet se do të ndërmerren hapat për formimin e Qeverisë së Kosovë.

“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit.

Takimi Thaçi – Kurti vjen një ditë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku me propozim të liderit të LV-së është zgjedhur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe nënkryetarët.

Nga VV kanë bërë të ditur për Express se ftesa e Thaçit ka arritur në selinë e LVV-së sot pak para orës 11:00, e se Kurti e ka sot të pamundur që të takojë presidentin e vendit.

Kjo pasi që sipas Vetëvendosjes, Kurti sot ndodhet jashtë Prishtinës. Tutje, shkruhet se ai së shpejti do të njoftojë Thaçin për ditët e orët e mundshme të takimit.

“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takoj Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, kanë thënë nga VV-ja.

Ndryshe, sot presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin për takim në ora 13:30 në presidencë.

“Ju ftoj që të merrni pjesë në takim konsultativ për caktimin e mandatit për formimin e qeverisë. Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë”, thuhet në ftesën e Thaçit dërguar Kurtit./GazetaExpress/