Syla: Jemi munduar të mos e dëmtojmë unitetin e komunitetit

Kuvendi i Gjilanit ka korrigjuar procesin e emërtimeve dhe adresave, pas një pune të mirë që ka bërë komisioni për ankesa.

Bardhyl Syla, kryetar i Komisionit, ka thënë se në këtë proces, kanë pranuar dhe shqyrtuar gjithsej 244 parashtresa, të cilat janë paraqitur nga këshillat lokalë, iniciativat qytetare, banorë të lagjeve, individë të caktuar si dhe nga vetë Komuna.

Prej tyre, janë aprovuar 102 parashtresa dhe ankesa, 89 janë refuzuar, ndërsa 53 kërkesa kanë qenë për emërtime të reja.

“Ne si komisionin jemi munduar të mos e dëmtojnë unitetin e komunitetit në një lokalitet të caktuar, me rastin e shqyrtimit të ankesave”, ka thënë Syla.

Komisioni gjatë procesit të shqyrtimit të parashtresave, është mbështetur në Ligjin për sistemin e adresave, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Udhëzimin administrativ për renditjen e elementeve të adresave dhe caktimin e formatit të shkronjave, numrave dhe tabelave të adresave, i lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Udhëzimin administrativ për caktimin e emërtimit dhe numërimit të adresave për zona të qarkullimit publik, ndërtesa, shtëpi, objekte dhe parcela kadastrale të lira si dhe Doracakun për sistemin e adresave në Kosovë.

Po ashtu, komisioni ka bashkëpunuar me këshillat lokalë, komisionin paraprak për emërtimin e rrugëve, me qytetarë si dhe ka bërë vizita në lokalitete të ndryshme, për të parë më së afërmi gjendjen dhe për të marrë informacione sa më të plota në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më mirë që është e mundur.

Natyrisht që në një proces të ndjeshëm si ky, komisioni është përballë edhe me sfida.

“Gjatë punës tonë kemi hasur edhe në sfida të ndryshme si: ankesa/kërkesa të pa kompletuara, të pa qarta, të palexueshme, mungesë e përgjigjeve nga palët për informacione shtesë e të tjera”, thotë Syla.

Por, si shkon tutje procedura pas miratimit në Kuvend Komunal?

Vendimi i Kuvendit të Komunës për ankesat e aprovuara, i dërgohet Ministrisë përkatëse e cila shqyrton pajtueshmërinë e tyre me ligjin dhe aktet nënligjore, sqaron Syla.

Palët e pa kënaqura, mund të iniciojnë kontest gjyqësor.