Prindërit nga Vitia në telashe me të birin, 21-vjeçari sulmon babain e kërcënon nënën

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Shpesh herë këto vijnë si pasojë e përdorimit të alkoolit e substancave narkotike, të cilat bëjnë që persona të caktuar të kenë sjellje të dhunshme dhe të bëjnë veprime të pakontrolluara.

Për një rast të tillë të dhunës në familje, Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Kemajl Azizi” të Vitisë, ku një burrë e një grua kanë vendosur ta denoncojnë djalin e tyre 21-vjeçar, i cili po iu shkakton probleme të vazhdueshme.

I riu A.I., po dyshohet se e ka rrahur babain e tij, e më pas iu ka vërsulur nënës duke e kërcënuar, situatë kjo që i ka shqetësuar shumë prindërit e tij. Sinjali mëson se viktimat janë në hall me të birin, i cili po ushtron dhunë fizike e psikike ndaj tyre, tash e një kohë.

Burimet nga Prokuroria thonë se si rezultat i denoncimit të rasti, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arrestuar të riun dhe e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.