Priten tensione në mbledhjen e KQZ-së pas vendimit për të lënë jashtë gare Kurtin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mban mbledhjen e radhës sot në ora 17:00. Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, konfirmoi për Euronews Albania se ky institucion ka njoftuar partitë politike se deri në ora 16:00, ato mund të njoftojnë KQZ-në për ri-renditjen e kandidatëve për deputetë.

“KQZ, përmes Zyrës për regjistrimin e certifikimin e subjekteve politike, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.

Dje Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku nga pesë ankesat të subjekteve politike, dy prej tyre janë pranuar pjesërisht.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbetur jashtë listës. Mbetet të shihet se si do të ri-radhiten emrat në listat e kësaj partie dhe partive tjera meqë në numrat e mbetur të zbrazët, sipas vendimit të gjykatës, nuk mund të vendosen emra të tjerë.