Profesori i gjuhës që shtëpinë dhe familjen i vuri në shërbim të lirisë
Më 22 nëntor 2019, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta profesori Ymer Latifi, i lindur në fshatin Pogragjë, më 28.05.1945. Ndonëse shkollimin e filloi me vonesë, në moshën 10-vjeçare, për shkak të rrethanave familjare, ai arriti t`i përfundojë studimet para kohe.
Punoi si mësimdhënës në shkollën e fshatit në Pogragjë, në gjimnazin e Prishtinës dhe të Gjilanit, shkruan poprtali mediafokus.info
Një djalosh i pasionuar pas librit, një student i dalluar dhe më vonë një profesor i përkushtuar ndaj punës me nxënës, nuk kishte se si të mos i binte në sy pushtetit të kohës, i cili ia mori ditarin nga dora dhe e largoi nga arsimi si të papërshtatshëm ideo-politikisht.
Ymeri, si mik dhebashkëpunëtor i Nazmi Hoxhës u vlerësua i papërshtatshëm për arsim, meqë po i frymëzonte nxënësit me dashuri ndaj çështjes kombëtare.
Pas diferencimit dhe përjashtimit nga arsimi (1982),për tri vjet mbeti pa punë, derisa u angazhua në Kooperativën Bujqësore në Pogragjë,si inkasant dhe daktilografist, deri në vitin 1991, kur iu rikthye punës me nxënës, pasi realiteti në Kosovë kishte ndryshuar dukshëm në raport me Serbinë. U pensionua në vitin 2010.
Një jetë të tërë, Ymeri u përball me sfida e vështirësi, me ndjekje e tortura ngapolitika e policia serbe,e cila njëherë e diferencoi dhe e largoi nga puna, ndërsa më vonë e ndoqi dhe e torturoi nën pretekstin për veprimtari armiqësore, armë mbajtje pa leje dhe arsye të tjera.
Masat represive nuk e thyen Ymerin në përcaktimin e tij atdhetar, përkundrazi e bënë edhe më të vendosur në luftimin e padrejtësive dhe gjakimin e lirisë për vendin e tij. Përherë ishte në ballë të iniciativave dhe aktiviteteve me karakter kombëtar.
Në këtë frymë i edukoi edhe fëmijët e tij. Ata i kujtojnë momentet kur babai Ymeri u thoshte: “nuk jeni fëmijët e mi nëse nuk i dilni zot vatanit”.
Shtëpia dhe familja e Ymer Latifit në Pogragjë, jo rastësisht ka qenë vendtakim, strehë dhe bazë e luftëtarëve të tri ushtrive shqiptare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, të cilët i priste dhe i përcillte me respekt dhe dashuri të veçantë, për çka është nderuar me mirënjohje e lëvdata.
Ymer Latifi e vuri veten dhe familjen e tij, pa asnjë hamendje, në shërbim të vendit dhe popullit, në të gjitha betejat për çlirimin e trojeve shqiptare./mediafokus.info

