U nda nga jeta profesori Adem Mezini

Profesori Adem Mezini është ndarë nga jeta, një studiues i zellshëm i historisë dhe një nga profesorët veteran të Departamentit të Historisë.

Profesor Ademi ishte një studiues serioz, një pedagog mjaft i përgatitur dhe një njeri i shkëlqyer. Ai ka mbajtur edhe pozicionin e Drejtuesit të Departementit të Historisë.

Puna e tij shumëvjeçare ishte e lidhur me historinë e shekullit të kaluar, periudhë të cilën profesori e zotëronte mjeshtërisht dhe e sillte pranë publikut e studentëve të tij me analizat e hollësishme të problemeve politike, ekonomike e sociale të qytetërimit perëdimor e jo vetëm.

Ai ishte studiues i përkushtuar që shkroi shumë libra studimore si “Bota nuk ndryshon vetiu” , “Shekulli I XX”, “Revolucioni Demokratik në Rusi”, “Rusia nga Gorbaçovi te Putini”.

Profesor Mezini ishte gjithashtu një pedagog i rrallë e me aftësi të mëdha si mësimdhënës pasi jo vetëm që shpjegonte me kompetencë ngjarjet e mëdha të shekullit XX, por edhe sepse nxiste reflektime mbi ngjarjet historike e frymën e debatit e të diskutimeve mes studentëve.

Profesor Mezini ishte një njeri i shkëlqyer që impononte respekt mes kolegëve, miqve e studentëve të tij.

I fokusuar tërësisht në punën e tij studimore, ai ka frymëzuar shumë breza qoftë me mënyrën e perceptimit, qoftë me punën e palodhur si kërkues shkencor, punë të cilën e vazhdoi me të njëjtin intensitet edhe pasi doli në pension.

Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të, sepse profesori ka lënë mbresa të thella te çdo student i tij.

U prehsh në paqe Profesor Adem Mezini! /Isuf B.Bajrami/Mediafokus.info