Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes

Prokuroria Themelore ne Gjilan ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit N.M., i cili dyshohet se me shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

Sipas kërkesës, ekzison dyshimi i bazuar se, më 25 korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, me shufër metalike e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godas me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse.

Me këto veprime, dyshohet se i dyshuari N.M., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa sot pritet që të mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit, para gjyqtarit të procedurës paraprake, thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim Publik të Prokurorisë Themelore në Gjilan.