Prokuroria e Gjilanit konfirmon vrasjen e një personi në Viti dhe arrestimin e një të dyshuari

Prokuroria Themelore në Gjilan, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se sot, rreth orës 11:00, në komunën e Vitisë, ka ndodhur një rast gjuajtje me armë zjarri, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari E.R. dhe ndaj tij është lëshuar vendimi mbi ndalim për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit iu janë sekuestruar një revole dhe një armë gjuetie.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit A.R., është dërguar për kryerjen e obduksionit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndaj të dyshuarit brenda afatit ligjor Prokuroria Themelore në Gjilan, do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, thuhet në njoftim.