Ekspertët besojnë se helmimi masiv në Deçan mund të ketë ardhur nga prodhimet e mishit më përpara se nga uji

Dy persona kanë vdekur brenda 24 orëve në Deçan. Dyshohet që shkaktar i vdekjes të ketë qenë helmimi. Por, ministri Arben Vitia thotë se rastet nuk kanë lidhje me helmimet. 

Ministri Vitia ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ku bashkërisht me autoritetet e atjshme komunale dhe shëndetësore kanë hartuar një listë të barnave që do të trajtohet me prioritet.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësuese. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka thënë Vitia.

Edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani është deklaruar lidhur me rastin, duke përjashtuar helmimin me ujë të pijes.

“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza permanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, dy raste të vdekjeve të dyshimta janë regjistruar në 24 orët e fundit në Deçan.

Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, në një prononcim për Ekonomia Online, ka konfirmuar se nga kjo komunë nuk janë duke trajtuar asnjë rast.

Ndonëse u tha se shkaktar i helmimit të mbi 800 qytetarëve mund të jetë uji i pijes, Lenjani thotë se produktet e mishit mund të shkaktojnë probleme të tilla.

“Zakonisht IKShPK-ja dhe Klinika Infektive janë përgjegjës për të dhënë atë versionin zyrtar se si ka ardhur deri te helmimi i këtyre personave në komunën e Deçanit. Në bazë të dhënave është konstatuar se ka ndodhur gjoja se nga përdorimi i ujit”.

“IKShPK-ja del me version zyrtar dhe nuk mund të jetë shkaktar uji, por mbetet që organet përgjegjëse ta hulumtojnë burimin e infeksionit. Se zakonisht gjatë stinëve të verës nuk mund të jetë vetëm sigurimi i ujit, por edhe produktet e mishit si sugjuku, sallamet e ndryshme që mund të jetojnë dhe shkaktojnë probleme të tilla”.

Kurse kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit ka marrë vendim që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune.

Me anë të këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente.