Prokuroria kërkon paraburgim për Skender Krasniqin, dyshohet për vrasjen e djalit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që t’i caktohet masa e paraburgimit Skender Krasniqit, i dyshuar për vrasjen e të birit, Albert Krasniqi.

Prokuroria thekson se A.K dyshohet se më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, me armë zjarri ka privuar nga jeta personin me inicialet A.K., (djalin e tij), në garazhin e objektit banesor të tyre, nga motive të panjohura deri më tani.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 27 janar 2021, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet S.K., dhe ndaj të njëjtit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në drejtim të veprave penale ‘Vrasja e rëndë’, nga neni 173 të KPRK-së dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se i dyshuari, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, vijon njoftimi.

Theksojmë se Ramiz Krasniqi, avokati mbrojtës i Skender Krasniqit, ka thënë sot për Telegrafin se vrasja ka ndodhur aksidentalisht.

“Ishte aksidentale, nga pakujdesia. Skender Krasniqi është në gjendje shumë të keqe, edhe dje edhe sot është me qetësues, dje ka marrë ndihmë mjekësore”, theksoi ai.

Albert Krasniqi është varrosur sot në varrezat e Prishtinës.